Presidenti i Republikës Bamir Topi reagoi zyrtarisht nëpërmjet
zëdhënëses në lidhje me akuzat për lidhje me krimin e organizuar që i
bëhen kryeministrit të Republikës së Kosovës Hashim Thaci. (UPDATE)
Akuzat formulohen në një raport të deputetit zvicerian Dick Marty mbi të cilin është hartuar edhe një projekt-rezolutë e Komisionit të Çështjeve Ligjore dhe të Drejtave të Njeriut të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
“Presidenti i Republikës së Shqipërisë dënon ashpër të gjitha akuzat e pabazuara në prova konkrete dhe pandehmat e endura me një rrjetë thashethemesh, të cilat duken sikur janë të gatuara në kuzhinën e dalëmode të qarqeve të caktuara ultra-nacionaliste, që për fat të keq vazhdojnë të ekzistojnë në Ballkan – në një territor ku kohë pas kohe zbulohen varreza masive të genocidit të pashembullt të forcave serbe të Millosheviçit dhe ku ende strehohen kriminelë lufte të kërkuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës. Këto akuza fantazmagorike, nuk bëjnë gjë tjetër veçse hedhin baltë mbi Shqipërinë, kombin shqiptar, identitetin e tij, si dhe shtetin e ri shumë-etnik dhe demokratik të Kosovës dhe drejtuesit e tij legjitimë”, tha zedhenesja e Presidences, Mimoza Kociu.
Sipas Presidentit, rruga më e mirë për të mbyllur përfundimisht këtë kapitull shpifjesh dhe akuzash të pabazuara është që institucionet shqiptare të bashkëpunojmë sic përsëri, sic kanë bërë edhe në të shkuarën me organet e specializuara të drejtësisë kombëtare dhe ndërkombëtare.
Ndërkohë Edi Rama, në bashkëbisedimin e përjavshëm me gazetarë, e cilësoi deputetin Dick Marty një sharlatan, që i shtohet listes së sharlatanëve që në të shkuarën janë përpjekur për të dëmtuar shqiptarët.
“Neveri per ate zoterine qe ka formuluar akuza shume te ulta per kryeministrin e Kosoves.Ne pikpamjen tone hartuesi eshte thjesht nje sharlatan qe i shtohet zogorise se sharlataneve qe ne histori kane bere keq e shume me keq per te demtuar shqiptaret dhe ceshtjen shqiptare”, tha Rama.
Zoti Rama pohoi prerazi se deputetët socialistë do të bashkëpunojnë me deputetët demokratë kur projekt-rezoluta të diskutohet në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës. Ky do të ishte bashkëpunimi i parë pas zgjedhjeve të 28 qershorit mes opozitës dhe pozitës, i diktuar nga arsye kombëtare.
Top Channel