Lëvizja qytetare “Zgjohu”, në Maqedoni, i është bashkuar kritikave të
Tiranës dhe Prishtinës ndaj raportuesit të KiE, Dick Marty, që akuzon
UCK-në për vepra kriminale.
“Zgjohu” i ka cilësuar si “skandaloze” dhe “tendencioze” akuzat e Marty, i cili njihet për qëndrimet anti-shqiptare. “Dick Marty njihet për qëndrimet patologjike anti-shqiptare, të shfaqura kundër Shqipërisë dhe Kosovës, edhe para shpalljes së pavarësisë.
Prej tij nuk pritej gjë tjetër që kur u ngarkua me këtë detyrë nga KiE”, ka deklaruar “Zgjohu”.
Lëvizja ka kujtuar se hetimet e gjykatës së Hagës për trafik organesh në “shtëpinë e verdhë” janë mbyllur në vitin 2004 për mungesë provash dhe po ashtu edhe ato të UNMIK dhe EULEX.
Më tej “Zgjohu” u ka bërë thirrje mediave, vendase dhe ndërkombëtare, që para se të botojnë “shpifje” të rënda ndaj Kosovës dhe UCK-së të kontrollojnë faktet.
Edhe partia shqiptare Demokracia e Re ka kritikuar ashpër raportuesin e KiE, duke deklaruar se, “akuzat e qarqeve destruktive pro serbe kanë arritur të manipulojnë edhe BE-në”.
Top Channel