
Një ditë më parë, përmes Top Channel, Isa Mustafa deklaroi se zgjedhjet janë cënuar dhe duhen përsëritur.
Por përsëritja e zgjedhjeve duket se nuk ka gjetur mirëkuptim në të gjithë spektrin e partive politike në Kosovë.
Lëvizja Vetëvendosje deklaron se do të presë rezultatin final për të dalë me një qëndrim, edhe pse ka përjashtuar mundësinë e një koalicioni me partitë e mëdha.
“Nuk bëhemi pjesë e një qeverie që bën negociata me Serbinë dhe bën privatizime të institucioneve kosovare”, ka deklaruar njëri prej anëtarëve të saj.
Ndërsa partia Aleanca Kosova e Re nuk mendon se zgjedhjet duhen përsëritur së shpejti.
“Zgjidhja e vetme për vazhdimin e ngritjes së institucioneve në Kosovë mbetet ngritja e një qeverie teknike, që të organizojë partitë për reformën zgjedhore”, ka deklaruar nënkryetarja Mimoza Kusari Lila.
Ndërkohë, LDD-ja e Nexhat Dacit, që fillimisht deklaroi se e pranonte rezultatin e zgjedhjeve, ka ndërruar mendje duke deklaruar se nuk do ta pranojë atë.
“LDD, për shkak të ambjentit agresiv të krijuar para dhe gjatë procesit zgjedhor, ka vendosur të mos e pranojë rezultatin e zgjedhjeve”, ka deklaruar Daci.
Top Channel