Koncesioni i pullave, shkelet kontrata

17/12/2010 08:20

Ministria e Financave zbardh vendimin e dy ditëve më parë lidhur me kontratën koncesionare me një kompani zvicerane, e cila ka fituar të drejtën për të prodhuar pullat fiskale për artikujt e luksit, duke përfshirë edhe ilaçet.

Pas shkrimit në gazetën “Shqip”, ku ngriheshin një sërë pikëpyetjesh rreth procedurës që u ndoq deri në finalizimin e marrëveshjes, Financat detyrohen të japin shpjegime përmes njoftimit për shtyp, ku ndër të tjera rrëzon afatin e përmendur në artikull.

Sipas ministrisë, “kontrata koncesionare do të ketë një afat 10 vjet dhe jo 35 vjet, sikurse pretendonte gazeta”, por nga ana tjetër dikasteri i Bodes nuk sqaronte ndryshimin e këtij kriteri shumë të rëndësishëm në tender.

Gazeta disponon një kopje të kontratës paraprake, ku konkretisht te pjesa që flitet për afatin e koncesionit (pika 2/5/3), ministria kishte caktuar afatin 35 vjet.

Të gjitha kompanitë që kanë hyrë në tender kanë pasur parasysh këtë afat të vendosur nga ministria dhe ndryshimet e bëra gjatë rrugës bien ndesh me konkurrencën në tender.

Ministria nuk sqaron pse u ndryshua në fund afati, duke e bërë 10 vjet nga 35 që ishte para tenderit dhe nuk tregon se cilat ishin shkaqet që çuan palët drejt kësaj marrëveshje, e cila u mbajt e fshehur deri në momentin e fundit.

Pse fituesi ka pranuar t’i ulet afati i kohëzgjatjes së koncesionit, kur dihet se një kontratë 35-vjeçare vlen më shumë se sa ajo me 10 vjet në kushtet kur fitimet do t’i ketë të sigurta?

Kujtojmë se kompania “Sicpa” do të ketë të drejtën ekskluzive për të prodhuar dhe shitur pullat fiskale ndaj atyre shoqërive që tregtojnë alkool, duhan, birrë dhe ilaçe, ndërsa qeverisë do t’i japë 2 për qind të vlerës.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - Bileta