EULEX është i gatshëm të rinisë hetimet rreth çështjes së pretenduar nga raportuesi Dick Marty mbi të ashtuqajturin trafik të organeve në Kosovë dhe Shqipëri gjatë kohës së luftës së fundit në Kosovë.

Zyrtarët e EULEX-it zotohen se, në rast se raporti i raportuesit special të Komitetit të Çështjeve Ligjore ofron prova te reja dhe fakte, EULEX-i do i rinisë edhe njëherë hetimet.

Ky mision madje i bën thirrje qytetarëve, që të ofrojnë fakte dhe prova në rast se kanë.

“Nëse ka dëshmi të prekshme dhe prova për organet atëherë EULEX-i do të fillojë hetimet. Deri tani nuk ka asnjë dëshmi që e vërteton këtë”, është shprehur Blerim Krasniqi, zëdhënës i EULEX-it në Kosovë.

Ndërkohë, kryetari i Këshillit për të Drejtat e Njeriut, Bexhet Shala thotë se, në të ashtuquajturën “shtëpinë e verdhë” në atë kohë nuk ka patur mjete për të shkulur një dhëmb e jo më të realizoheshin transplante organesh.

“Qëllimi politik dhe manipulues është arritur dhe tani mbetet që Marty të faktojë akuzat ose të përgjigjet para gjykatës për shpifje”, është shprehur Shala.

Ndërsa, sipas Tomë Gashit, avokatit të kryeministrit në largim, me këtë raport Dick Marti i jep fund karrierës së tij politike. Gashi thotë Marti, ka publikuar një raport duke u bazuar në të dhëna të shërbimeve sekrete, por nuk i ka të konfirmuara pretendimet e tij.

“E ka tejkaluar çdo limit të personit normal. Pasojat do të jenë të mëdha. Ne do të bëjmë padi në lidhje me këtë çështje. Besoj se Marty me këtë deklaratë i ka dhenë fund karrierës së tij politike”, shprehet Gashi.

Raporti i raportuesit special u miratua të enjtën në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ndërkohë qeveria kosovare tashmë po bëhet gati të angazhojë ekspertë të njohur ligjor që ky proçes të zbardhet deri në fund.

Top Channel