Disa ditë pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit në Kosovë, mbarëvajtja e tyre vazhdon të jetë temë e përditshme e konferencës së mesditës së Komisionit Europian.

E pyetur mbi qendrimin e LDK-së, të cilin, kryetari Isa Mustafa e sqaroi një ditë më parë për Top Channel, “se Brukseli po mendon më shumë për dialogun Prishtinë-Beograd me një qeveri kukull sesa për demokracinë në Kosovë’, Maja Kocijancic, zëdhënësja e Përfaqësueses së Lartë Catherine Ashton, u përgjigj se për Brukselin, ndjekja deri në fund e procesit zgjedhor sipas rregullave, vjen para dialogut me Beogradin.

“Është e vërtetë se ne duam formimin e qeverisë së re sa më shpejt të jetë e mundur dhe njësoj për dialogun, por ne kemi thënë edhe se ky dialog duhet të përgatitet mirë nga të gjitha palët. E sigurisht që një nga palët është Prishtina, ku ende po vazhdon procesi zgjedhor. Ne nuk kemi vënë kurrë data për dialogun, proces në të cilin përfshihen shumë palë. Por të gjithë duhet të jenë të gatshëm para se ne të mund ta nisim atë”, tha zëdhënësja, Maja Kocijancic.

Hijes së manipulimit dhe parregullsive në zgjedhjet e para të Kosovës së pavarur, i janë shtuar tashmë edhe akuzat tepër të rënda të Dick Marty për Hashim Thacin, temë e cila zuri 22 minuta kohë pyetje-përgjigje nga konferenca e djeshme e mesditës, në të cilën edhe Shqipëria u akuzua për mungesë bashkëpunimi.

Thomas Migllierina, gazetar i Radio Zvizzera: Në raport thuhet se për rastin “Medicus” (medikus), vende anëtare të Këshillit të Europës kanë zvarritur gjërat. Shqipëria, sipas raportit, po bashkëpunon shumë pak duke thënë se nuk ka arësye të hetohet në Shqipëri pasi aty s’ka patur luftë. A është ngritur kjo çështje me Shqipërinë e cila po kërkon të bëhet vend anëtar në BE?

“Lufta kundër krimit të organizuar është një detyrim për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo çështje po trajtohet dhe po vëzhgohet nga kanale të ndryshme, përfshirë këtu dhe raportet e progresit. Ju i patë raportet e publikuara nga Komisioni në nëntor si dhe diskutimet një ditë më parë në Këshillin e Ministrave. Pra ky është një prioritet absolut”, u përgjigj Maja Kocijancic.

Një ditë më parë, pasi vlerësoi se BE i merr me seriozitetin më të lartë akuza të tilla, Kocijancic ftoi raportuesin e Këshillit të Europës, zvicerianin Dick Marty, që provat dhe dëshmitë për akuzat e tij t’ia adresojë EULEX-it dhe autoriteteve të tjera kompentente kombëtare e ndërkombëtare.

 

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel