“Një dokument skandaloz, një shpifje e pastër, fryt i një propagande kundër Kosovës që zgjat prej 15 vjetësh”.

Me këto fjalë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaci ka rrëzuar akuzat “monstruoze” të raportuesit të KiE, Dick Marty, që e lidhnin atë me krimin e organizuar.

Duke folur në një konferencë për shtyp, Thaci është shprehur se akuza të tilla janë bërë edhe në të kaluarën dhe kanë rezultuar të pavërteta.

“Ky është një raport që kërkon të njollosë gjithë shqiptarët në rajon. Akuzat monstruoze të Dick Marty nuk i shërbejnë askujt. Pretendimet inkriminuese në raportin e tij janë hetuar disa herë nga institucionet e besueshme të drejtësisë kombëtare”, ka deklaruar Thaci.

Kreu i qeverisë kosovare ka kërkuar nga autoritetet ndërkombëtare që të ndjekin procedurat e duhura për të zbardhur të vërtetën e këtyre akuzave.

Ndërkohë që nga vetë Dick Marty ai ka kërkuar që të paraqesë provat dhe faktet, nëse ai vërtet i zotëron ato.

“Unë si kryeministër i Kosovës ndihem i fyer rëndë nga akuzat e Marty. Unë do të shqyrtoj të gjitha mënyrat legale dhe politike për të kundërshtuar këtë raport”, ka shtuar Thaci.

Top Channel