Dhoma e Ankesave e gjykatës së Hagës ka anuluar të enjten vendimin për lirimin e përkohshëm të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe ka urdhëruar që ai të mbetet edhe më tej në paraburgim në Sheveningen.

Me këtë vendim është miratuar ankesa e prokurorisë ndaj vendimit të javës së kaluar të gjykatës, sipas të cilit Haradinaj do të lirohej përkohësisht nga data 17 dhjetor deri më 14 janar.

Dhoma e Ankesave ka vlerësuar se ka qenë i gabuar konkludimi nga shkalla e parë, që lirimi i Haradinajt do të ishte me “rrezik të ulët” për përsëritjen e gjykimit, i cili pritet të fillojë në janar.

Haradinaj nga fundi i nëntorit kishte kërkuar lirimin e përkohshëm për festat e fundvitit me arsyetimin se ka bashkëshorten shtatzënë dhe se duhet të jetë pranë familjes nga data 17 dhjetor deri më 14 janar.

Kreu i AAK-së është paraqitur në Hagë më 20 korrik të këtij viti, pasi gjykata vendosi për rigjykimin e pjesshëm të tij, përkatësisht gjashtë pika.

Shkalla e parë e gjykatës e kishte shpallur të pafajshëm Haradinajn dhe të akuzuarin e dytë, Idriz Balaj, ndërsa Lahi Brahimaj është dënuar me gjashtë vjet heqje lirie për krime lufte në Kosovë.

Gjykimi i parë kundër Haradinajt kishte filluar më 5 mars 2007, ndërsa gjykata e kishte shpallur të pafajshëm më 3 prill 2008.

Top Channel