Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa kërkon zgjedhje të reja në Kosovë sepse, sipas tij, edhe po të rivotohej në Skënderaj dhe Drenas, proçesi zgjedhor i së dielës në Kosovë nuk do të përmirësohej.

Në një intervistë në Top Channel ai tha se është bërë vjedhje masive e votave në tërë Kosovën dhe e quajti “qeveri hajdute” atë që mund të krijohet mbi bazën e votave të manipuluara.

“Dyshoj për rezultatin dhe si i tillë ai është i paqëndrueshëm pasi ka pasur shumë parregullsi. Ka pasur mbushje të kutive jashtë çdo lloj rregulli. Habitem se si disa media po i trajtojnë këto lajme, pasi edhe sipas KQZ, proçesi ka pasur parregullsi dhe nuk mund të merren parasysh votat që janë hedhur në mënyrë të paligjshme. Problemi është që abuzimet janë aq të mëdha sa e kompromentojnë këtë proçes”, deklaroi ai.

Mustafa kritikoi edhe faktorin ndërkombëtar se nuk është i interesuar për krijimin e demokracisë në Kosovë, por do që të krijojë një qeveri “kukull” me të cilën do të hynte në bisedime me Serbinë për t’i arritur qëllimet e veta.

“Po japin deklarata të papërgjegjshme, pasi këtu thonë se ka parregullsi, por kur venë në Bruksel thonë se gjithçka ka shkuar në rregull. Ata nuk janë të interesuar për demokracinë në Kosovë, por janë të interesuar të vendosin një qeveri kukull që do i shërbente atyre për zhvillimin e negocitave me Serbinë”, është shprehur Mustafa.

“Do ishte më mirë që të ripërsëriten votimet. Ko është zgjidhja më e mirë. Zgjidhjet e tjera kanë për të qenë të pjesshme. Janë mbi 14 mijë vota në Skënderaj, që do të thotë se i gjithë proçesi është montuar”, shtoi ai.

Top Channel