Një grevë e re e përgjithshme, e shtata në mbarë vendin gjatë 2010-s ka
paralizuar sot Greqinë. Shkollat janë mbyllur, fluturimet ndërprerë dhe
transporti publik është çorientuar.

Forcat e rendit janë të alarmuara për mundësinë e konflikteve, pasi të gjitha grevat e mëparshme të kësaj natyre kanë përfunduar me shfaqje të episodeve të dhunës. Kryeministri grek, Jorgo Papandreu, i kërkoi popullit mirëkuptim, duke qartësuar se masa të tilla janë të domosdoshme.

Sindikatat helene nuk bien dakord me planet e reja të shkurtimeve të mëdha financiare të hartuara nga qeveria, pas kushteve të vendosura nga Bashkimi Europian për reforma në dhënien e kredisë prej 110 miliard eurosh.

“Me këto protesta të përgjithshme dëshirojmë t’i dërgojmë qeverisë një mesazh, për t’i bërë të kuptojë që nuk jemi të gatshëm të pranojmë reforma që do të çojnë në rritjen e papunësisë dhe varfërisë”, deklaroi kryetari i protestuesve, Ilias Iliopulis.

Ditën e enjte, parlamenti grek miratoi një seri masash të tjera shkurtimesh buxhetore, e cila godet drejtëpërsëdrejti punëtorët e transporteve dhe kompanive shtetërore. Sipas ligjit të ri, pagat do të ulen, ndërsa i hiqet e drejta sindikatave që të negociojnë në grup për nivelin e pagave të punonjësve.

Top Channel