Sheshi para Parlamentit grek në Athinë është shndërruar në një arenë përleshjesh mes protestuesve dhe forcave policore.

Në grevën e shtatë të përgjithshme që zhvillohet në Greqi brenda 9 muajsh, mitingjet e protestat kanë degjeneruar në akte të dhunshme.

Grupe të rinjsh kanë hedhur bomba molotov ndaj forcave të policisë, i kanë vënë zjarrin hyrjes së Ministrisë së Financave, ndërsa kanë djegur edhe shumë makina.

Përleshjet kanë vijuar edhe në orët e pasdites. Qindra të rinj studentë iu bashkuan protestuesve dhe vijuan përleshjet me forcat e rendit në sheshin “Eksarqia” dhe rruget pranë Politeknikumit të Athinës, në rrugën “Patision”.

Të rinjtë dilnin prej oborrit të Politeknikumit dhe që andej hidhnin gurë dhe mjete të forta kundër forcave të policisë, të cilat përgjigjeshin me gaz lotësjllës dhe kimikate.

Policia njoftoi se deri tani ka ndaluar 38 vetë nën akuzën e pjesëmarrjes në akte dhune, ndërsa të paktën tre vetë raportohet se kanë marrë plagë të lehta dhe janë dërguar në spital.

Ish-ministri i Transportit në qeverinë Karamanlis, Sotiris Haxidhaqis, u sulmua nga një grup protestuesish dhe u dërgua në spital. Dëme u regjistruan edhe në dy banka dhe në zyrat e postës në sheshin “Sindagma”.

Policia njfotoi se do të patrullojë në rrugët kryesore të Athinës edhe gjatë orëve të natës, me qëllim parandalimin e akteve të dhunës prej grupeve të protestuesve që vazhdojnë të qëndrojnë në sheshin “Eksarqia” dhe Politeknikumin e Athinës.

Top Channel