Raporti i anëtarit të Asamblesë Parlamentare në Këshillin e Europës, Dick Marty, i cili hedh baltë mbi luftën e Ushtrisë Clirimtare të Kosovës dhe veçanërisht ndaj figurës së kryeministrit aktual Hashim Thaci, ka nxitur reagime të ashpra në Prishtinë.

Pas qeverisë, e cila e quajti shpifës këtë raport, reagoi edhe Presidenca e Kosovës. Në një deklaratë për media, ushtruesi i detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi ka vlerësuar se raporti i Dick Marty përfaqëson përpjekjet e qarqeve të caktuara për të barazuar luftën e drejtë dhe heroike të popullit të Kosovës dhe të Ushtrisë së tij Çlirimtare me masakrat e regjimit serb të Miloshevicit.

Për Krasniqin, ky raport përmban deklarata raciste kur flet për strukturën klanore të shoqërisë shqiptare të Kosovës dhe për mungesën e një shoqërie civile të vërtetë.

Në përkrahje të kryeministrit në largim Hashim Thaci dhe luftës së drejtë të UCK-së kanë dalë edhe kundërshtarët e tij politikë, si ish-kryeministri Agim Ceku, Burim Ramadani nga AAK, etj.

Nëpërmjet telefonit, profesori i së drejtës ndërkombëtare, Afrim Hoti tha se raporti i përpiluar nga Dick Marty është filozofi e versionit serb për të njollosur luftën e UCK-së, sidomos tani që Kosova po kalon nëpër momente të rëndësishme politike.

Hoti tha se parlamentari Marty punon në të njëjtën linjë me ish-kryeprokuroren e gjykatës së Hagës, Carla del Ponte dhe kësaj here e ka etiketuar Hashim Thacin për shkak se, sic thotë Hoti, e sheh si figurë qëndrore në Kosovë.

Ky raport, sipas njohësit të çështjeve ndërkombëtare, do të ketë më shumë pasoja politike se sa juridike dhe do t’i shërbejë Serbisë si argument shtesë se, Kosova nuk mund të jetë faktor stabiliteti në rajon.

Sa i përket pasojave juridike, zëvendësshefi i EULEX-it Andy Sparks, në një interviste për agjencinë e lajmeve “Reuters”, ka thënë se raporti do të shihet me kujdes dhe nëse ka pjesë në raport që e konsiderojnë Hashim Thacin “bos te mafias dhe drogës”, atëherë duhet të dëgjohet kjo edhe nga Këshilli i Europës, në mënyrë që EULEX-i të mund të merret me të.

Lidhur me trafikimin e organeve dhe shitjen e tyre në tregun e zi, zyrtarët e EULEX-it kanë thënë se, “prokuroria i bazon hetimet mbi fakte dhe prova të forta”.

Në Kosovë, Dick Marty nuk është figure e pëlqyer. Kjo për faktin se edhe pse shumë herë i kundërshtuar, ai ka vazhduar të mbështesë pretendimet e serbëve për shitjen e organeve të njerëzve nga ushtarët e UCK—së në të ashtuquajturën “shtëpia e verdhë”, në veri të Shqipërisë.

Ai ka qenë vazhdimisht kritik ndaj fuqive perëndimore të cilat kanë marrë një rol mbikëqyrës në Kosovë si shtet, ndërkohë që ka kritikuar komunitetin ndërkombëtar për mungesë vullneti politik për t’i ndjekur penalisht ish-liderët e UCK-së.

Top Channel