Organizata Amnesty International ka kërkuar nga misioni evropian për rendin dhe ligjin, EULEX, që të hetojë aludimet në raportin e anëtarit të APKE, Dick Marty mbi kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaci.

“Mbështesim thirrjen e zotit Marty drejtuar EULEX që të hetojë aludimet që shkruhen në këtë raport. Gjithashtu, duhet një program efektiv për të mbrojtur dëshmitarët që mund të përfshihen në këto hetime”, ka deklaruar përfaqësuesi i AI, Nicola Beger.

Nesër në Paris, Marty do të paraqesë raportin e tij me 27 faqe mbi ish-drejtuesit e UCK-së, që sipas tij janë përfshirë në afera kriminale.

Në raportin e publikuar nga mediat ndërkombëtare, kryeministri kosovar Hashim Thaci cilësohet si kreu i një organizate kriminale të tipit mafioz, që merret me trafik armësh, droge dhe organesh njerëzore.

Nga ana e saj qeveria e Thacit i ka hedhur poshtë këto akuza duke i cilësuar si të pabaza, si dhe ka paralajmëruar reagim me mjete ligjore dhe politike.

Top Channel