Keqardhja për vdekjen e diplomatit amerikan, Richard Holbrooke, është ndjerë edhe në kryeqytetin kosovar. E njohin si njeriun pa të cilin rruga e Kosovës drejtë lirisë dhe pavarësisë do të ishte shumë më e vështirë.

Vendi ku i ndjeri i ka qenë shumë herë për të sjellë shpresë dhe porosi për veprime strategjike nuk e ka harruar atë. Qytetarët thonë se kanë ndjerë dhimbje për ish-ambasadorin dhe të dërguarin për Ballkanin, e sidomos Bosnjën dhe Kosovën.

“Mos të kishte qenë Holbrooke dhe Klinton sot nuk do të kishte Kosovë”, shprehet një qytetar në Prishtinë.

“Ka qenë një personalitet shumë i madh që ka dhënë kontribut jo vetëm në Kosovë, por edhe në popullin amerikan. Ne këtu në Kosovë e kemi njohur si një kontribues shumë të madh që ka ndihmuar popullin shqiptar”, thotë një tjetër banore.

Blerim Shala, që asaj kohe drejtonte gazetën “Zëri”, ka qenë një nga njerëzit që ka takuar shpesh diplomatin Holbrooke. Shala ka qenë pjesë e grupit negociator në Rambuje, në konferencën që nuk mori epilog, por solli bombardimet e NATO-së. Edhe atje Holbrooke kishte rolin e tij. Shala kujton takimet e tij.

“Kur pamë Holbrooke menduam se çështja e Kosovës po zgjidhet sepse atëherë kishte dalë nami se ku janë problemet më të mëdha Holbrooke depërton dhe u jep zgjidhje. Mendoj se si për mua dhe Kosovën është një humbje e madhe dhe ai nuk është ndalur kurrë së punuari në dobi të Kosovës”, tha Shala.

Për vdekjen e Holbrooke nga Kosova dhimbjen e tyre e kanë shprehur edhe liderët.

Ushtruesi i detyrës së presidentit Jakup Krasniqi i ka shprehur ngushëllime presidentit Barak Obama, duke e quajtur të ndjerin një njeri të paqes. Por, Holbrooke do të mbahet mend në tërë Ballkanin si njeriu që ndaloi luftërat dhe hartoi marrëveshjet e paqes.

Top Channel