
Kreu i ushtrisë së Koresë së Jugut, gjenerali Hwang Eui-don ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij.
Autoritetet e Seulit konfirmuan se gjenerali u tërhoq pas lajmeve të publikuara në shtyp, që e lidhnin atë me skandale financiare që kanë të bëjnë me investime në pronat private.
Dorëheqja e Hwang vjen në një moment tensionesh të larta në gadishullin Korean, pasi Veriu qëlloi me një seri predhash një ishull të Jugut muajin e kaluar.
Pak kohë më parë edhe ministri i Mbrojtjes i Koresë së Jugut dha dorëheqjen pas kritikave të bëra ndaj tij lidhur me reagimin ndaj sulmit, që shkaktoi vdekjen e 4 personave.
Dy marinsa dhe dy civilë humbën jetën nga bombardimi i ishullit Jeonpjeong, në afërsi të kufirit të diskutueshëm ujor në Detin e Verdhë.
Ngjarja në fjalë, e ndodhur më 23 nëntor, ishte sulmi i parë ndaj civilëve jugorë që prej Luftës Koreane që përfundoi me një armëpushim në vitin 1953.
Top Channel