Mocioni i social-demokratëve për qeverinë Gruevski është shoqëruar me debate të ashpra në parlamentin maqedonas.

Deputetë të mazhorancës dhe të opozitës kanë debatuar ashpër për shpërbërjen e parlamentit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohëshme. Deputetët e Lidhjes Social-demokrate bësojnë se qeveria ka humbur legjitimitetin dhe se nuk ka arritur të realizojë programin e saj.

“Maqedonia është në krizë. Zgjidhja e vetme për të dalë nga kriza është ballafaqimi me qytetarët. Vetëm ashtu legjitimitetin për të vazhduar qeverisjen”, deklaroi deputetja e LSDM, Vesna Bendevska.

Për deputetët e mazhorancës vendi nuk ka nevojë për zgjedhje të parakohëshme.

“Kolegët e LSDM janë të pasinqertë, ata kërkojnë zgjedhje por lusin Zotin të mos ndodhin”, deklaroi Aleksandar Spasenovski, deputeti i VMRO-DPMNE.

Propozimi për mocion ndaj qeverisë ka përplasur edhe deputetët shqiptarë. Xhevat Ademi nga BDI tha se pa zgjidhjen e kontestit të emrit nuk do të ketë zgjedhje. Ndaj kësaj deklarate ka reaguar deputeti i DR-së, Sulejman Rushiti ka thënë se BDI është shndërruar në vegël e kryeministrit ndaj dhe vendimet i merr sipas direktivave të tij.

“Bëjëni të paktën një akt burrëror që të votoni ndryshe nga çfarë u ka thënë Gruevski”, deklaroi deputeti Rushiti.

Top Channel