Lidhja Demokratike e Kosovës nuk i pranon rezultatet e Komisionit Qendror Zgjedhor siç paralajmëroi se gjithashtu nuk do të pranojë një qeveri të krijuar me vota të vjedhura. (UPDATE)

Në një konferencë për media, kryetari i kësaj partie Isa Mustafa tha se LDK-ja është dëmtuar për 50 mijë vota në këto zgjedhje dhe kjo, sipas tij, e vë në pikëpyetje legjitimitetin e tyre.

“Proçesi i zhvilluar në disa mjedise dhe ku kulminon Drenica dhe Skënderaj është përcjellë me parregullsi të mëdha, siç janë mbushjet e kutive me vota fiktive, ndërsa në disa mjedise të tjera janë përdorur metoda të tjera për të përfituar nga votat jashtë vullnetit të qytetarëve. Prandaj LDK nuk do të pajtohet që Kosova të qeveriset me vota të manipuluara, sepse ai që manipulon votat, do e bëjë këtë edhe me të drejtat e qytetarëve, pronat e Kosovës dhe me ardhmërinë e këtij vendi”, është shprehur Mustafa.

LDK-ja shprehet e habitur me epërsinë e votave të PDK-së ndaj LDK-së, ndërkohë që akuzoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për punë të njëanshme.

“Komisioni Zgjedhor me këtë vihet në anën e PDK-së, duke i krijuar një përparësi psikologjike te qytetarët e Kosovës, që edhe nëse i merren disa vota, ajo prapë mbetet e para”, tha Mustafa.

Kreu i LDK-së akuzoi kryetarin e PDK-së se gjatë proçesit zgjedhor ka thyer rregullat zgjedhore.

Ndërkaq i pyetur nëse dështon PDK-ja të krijojë qeverinë a do të pranonte të jetë mandatari i dytë, Mustafa u përgjigj se nuk do të pranojë të bëjë qeveri mbi një proçes të kontestuar zgjedhor.

Top Channel