Partia Lidhja Demokratike e Kosovës ka deklaruar se nuk do t’i pranojë rezultatet paraprake të publikuara dje nga KQZ, që nxirrnin fituese PDK-në.

Kryetari i kësaj partie, Isa Mustafa është shprehur se ka dyshime për përqindjen e lartë të votave që i është atribuar partisë së Hashim Thacit.

“LDK do ta kontestojë rezultatin nëse në total do të përfshihen edhe votat nga komunat Skënderaj dhe Drenas, ku kanë votuar mbi 90% e qytetarëve me të drejtë vote”, ka pohuar Mustafa.

Më tej ai ka kritikuar kryetarin e PDK-së, Hashim Thaci se ka shkelur ligjin duke shpallur fitoren pa dalë më parë rezultatet.

Ndërkohë, partia tjetër Lidhja Demokratike e Dardanisë ka deklaruar se do t’i pranojë rezultatet paraprake, të cilat i jepnin asaj 3.3% të votave, kuotë e pamjaftueshme për të hyrë në Parlament.

“LDD i pranon rezultatet paraprake të dala nga KQZ dhe do të fillojë të bëjë analizën se cfarë solli partinë në këtë situatë”, ka pohuar nënkryetari Naser Rugova.

Top Channel