Komisioni Europian rishikon qendrimin mbi zgjedhjet e Kosovës pas raportimeve për parregullsitë dhe vjedhje të votës.

“Ne jemi të shqetësuar nga raportet për parregullsitë gjatë zgjedhjeve. I bëjmë thirrje të gjitha autoriteteve kompetente për të hetuar këto pohime dhe për t’u marrë me të gjitha ankesat dhe apelimet në përputhje me ligjet dhe rregulloret relevante. Është e rëndësishme që të rivendoset besimi i qytetarëve në vlerën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe besimin e tyre në institucionet përgjegjëse për organizimin e proçesit zgjedhor. Ne do të ndjekim nga afër të gjitha zhvillimet që lidhen me këto çështje”, është shprehur Angela Filote, zëdhënëse e komisionerit të Zgjerimit, Stefan Fule.

Zyra e Përfaqësueses së Lartë të BE-së ka sqaruar se deklarata e përbashkët e një dite më parë, ku proçesi zgjedhor konsiderohej i rrregullte e i qetë, i referohej informacioneve paraprake për ditën zgjedhore dhe nënvizonte rëndësinë e trajtimit të ankesave mbi këtë proçes.

“Në këtë deklaratë nënvizohet se ‘u takon autoriteteve përkatëse që të merren me çertifikimin e rezultatit dhe ankesat e apelimet e mundshme në respekt të rregullave dhe ligjeve relevante’ dhe ky vazhdon të jetë qendrimi ynë ende. Natyrisht që ka pakanaqësi dhe ne u bëjmë thirrje të gjitha autoriteteve kompetente të investigojnë dhe të trajtojnë të gjitha ankesat në përputhje me legjislacionin. Ajo që ne besojmë tani është se proçesi elektoral duhet të ndjekë rrugën e vet, që të gjitha ankesat të respektohen dhe të trajtohen. Ne do të monitorojmë situatën në vend”, deklaroi Maja Kocijancic, zëdhënëse e perfaqësueses së lartë të BE-së.

Zyra e Komisionerit Fule dhe ajo e  përfaqësueses së Lartë, Ashton vlerësojnë se garantimi i demokracisë gjatë proçesit të parë zgjedhor në Kosovë është i rëndësishëm.

Top Channel