Deputetët e opozitës në Maqedoni deklaruan në Parlamentin e këtij vendi se zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme, për shkak se, sipas tyre, qeveria aktuale është jopopullore dhe ilegjitime.

“Prej më shumë se pesë vjetësh Maqedonia nuk po shkon në drejtimet e duhura. Vitet e qeverisjes së VMRO-DPMNE-së do të njihen në histori si vitet e mjerimit, varfërisë dhe rrënimit të institucioneve. Mjaft më, duhet të shkohet në zgjedhje të parakohshme”, deklaroi shefja e grupit parlamentar të LSDM-së, Cvetanka Ivanova.

Nga ana e tyre, deputetët e maxhorancës i vlerësuan si të pasinqerta kërkesat e opozitës. Zgjedhjet e parakohshme, sipas tyre, do të nënkuptonin harxhim kohe, parash dhe energji.

“Kolegët e LSDM-së nuk janë të sinqertë. Kërkesa e tyre i ngjan thënies: “kërkojmë zgjedhje, por lusim Zotin që ato të mos ndodhin”, u shpreh deputeti i VMRO-DPMNE, Aleksandar Spasenovski.

Ndërsa deputeti i BDI-së, Xhevat Ademi i bëri të qartë opozitës se pa zgjidhjen e kontestit të emrit nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme.

Top Channel