Kuvendi nuk vendos për hetimin

13/12/2010 13:55

Konferenca e kryetarëve e Kuvendit nuk ka fiksuar akoma asnjë datë për shqyrtimin në seancë plenare te tre propozimeve të socialistëve: ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet, mocionin me debat për problemet e integrimit të Shqipërisë dhe ndryshimin e buxhetit të vitit 2011 me synim rishpërndarjen e fondeve për mbrojtjen nga përmbytjet.

“Pushteti i votave të vjedhura s’ka vullnet për të hetuar zgjedhjet me ngadalë, për të ndalur përmbytjet që shkakton, për të hapur rrugën e reflektimit mbi arsyet që sollën refuzimin e statusit të kandidatit në BE”, ka deklaruar Rama.

Njoftimi i zyrës së shtypit të Kuvendit pasqyronte vetëm diskutimet për komisionin hetimor. Këtu thuhet se demokratët kanë pasur objeksione për mënyrën se si është formuluar pika që flet për përbërjen e komisionit dhe raporti mes mazhorancës dhe opozitës. Për këtë shkak kërkesa i është rikthyer socialistëve për korrigjim.

Më tej në njoftim thuhet se, meqë palët propozonin dy data të ndryshme për diskutimin në seancë plenare, do të jetë pikërisht seanca që do të vendosë nëse kërkesa për komisionin hetimor do të shqyrtohet më 17 dhjetor, sic duan socialistët, apo më 23 dhjetor sic propozojnë demokratët.

Edi Rama flet edhe për propozimin tjetër, atë të rishikimit të buxhetit. Sipas socialistëve, qeveria ka dështuar me përmbytjet.

“Shkodra u përmbyt për të pestën herë brenda një viti dhe për të pestën herë me radhë saliu flet për fitore dhe heroizma të qeverisë”, ka pohuar Rama.

Kryeministri i është kundërpërgjigjur në mbledhjen e përjavshme të grupit parlamentar demokrat. “Hyn në shtëpinë e Tom Doshit dhe ti mbetesh alien. Shko në Shkodër për të zgjedhur kë ke në krye të PS dhe zihesh me grushta dhe karrike”, ka replikuar Berisha.

Ndërkaq, presidenti i Republikës i ka dhënë fund shpresave të socialistëve se mund ta rikthente buxhetin në Parlament.

Në të njëjtën ditë kreu i shtetit ka vënë firmën e tij poshtë ligjit, duke e dekretuar buxhetin e vitit 2011 në atë formë që u miratua nga mazhoranca.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA