Haxhinasto: SHBA mbështet dialogun për ngërçin

13/12/2010 09:00

Bojkoti parlamentar apo format e tjera të reagimit jashtë-institucional mbeten të papreferueshme nga komuniteti ndërkombëtar.

Ky është mesazhi që ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, ka përcjellë si një nga përfundimet e vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga takimi i tij me sekretaren e Departamentit të Shtetit, Hillari Klinton.

“Qëndrimi i SHBA-së, që u shpreh edhe në këtë takim, është që në Shqipëri duhet të funksionojë dialogu politik institucional, pra që gjithçka në Shqipëri të diskutohet në mënyrë institucionale, brenda institucioneve, brenda Parlamentit. Ata dënojnë çdo bojkotim të Parlamentit, apo realizim të veprimtarisë politike jashtë institucioneve dhe sigurisht, ata besojnë dhe vlerësojnë  zgjidhjen e çështjeve të caktuara, të cilat nuk zgjidhen politikisht midis partive, në një sistem tjetër që është sistemi ligjor, sistemi gjyqësor që ka Republika e Shqipërisë”, u shpreh dje në një konferencë për shtyp, Haxhinasto.

Një mesazh i qartë i cili përmes autoritetit të Uashingtonit zyrtar riciklon edhe njëherë qëndrimin e shumicës lidhur me krizën politike në vend. E vendosur në kontekstin e debatit të brendshëm, prononcimi i sekretares së Departamentit të Shtetit, i ardhur përmes ministrit të Jashtëm thjesht e përcakton pozicionin e Partisë Socialiste si të papërshtatshëm. Apeli i ricikluar edhe njëherë, me përmbajtjen e vet konstante, por i formalizuar si qëndrim i SHBA e çon një hap më mbrapa rrugën e konsensusit politik po të mbahet parasysh se gjithsesi selia rozë nuk heq dorë nga hetimi i zgjedhjeve. Ajo së fundmi ka bërë një ofertë të re, minimaliste në raport me fillesat e veta, ç’ka me sa duket edhe kësaj radhe nuk pranohet nga shumica, përpos se përmes rrugës së gjyqësorit. Nga ana tjetër, axhenda e zgjeruar e vizitës së Haxhinastos në SHBA, mund të vështrohet si një sukses sa i tij, ashtu edhe i qeverisë, që merr përgëzime për përpjekjet e saj. Kështu, ministri i Jashtëm i Shqipërisë ka ripërsëritur se marrëdhëniet mes SHBA dhe vendit tonë “janë në kohën më të mirë”, duke sjellë në vëmendje edhe vlerësimet maksimaliste të kongresmenëve dhe senatorëve amerikanë. “Mund të them se ajo që është e përbashkët e këtyre takimeve është një vëmendje e veçantë që kanë për Shqipërinë, është një vlerësim për kontributin e saj joproporcional për mundësitë që ka në Afganistan, por edhe në përgjithësi për paqen dhe sigurinë. Nga senatorët dhe kongresmenët pa përjashtim, Shqipëria konsiderohet si shembulli i zhvillimit dhe i suksesit…”, tha Haxhinasto.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB