Në qoftëse kosovarët do të bazoheshin vetëm në fotografitë e politikanëve të vendosura nëpër rrugë se cilin nga ata do ta votojnë, edhe mund të gabojnë.

Teknika dixhitale këtë herë duket se ka tejkaluar limitet e saj, duke i shndërruar kandidatët për deputetë ne Kuvendin e Kosovës në artistë apo modelë, të cilët janë në garë për t’u përzgjedhur nga ndonjë produksion filmik.

Heqja e rrudhave, zbukurimi i tepërt i kandidatëve, por edhe prapavija me ngjyrë të hapur nëpër postera ka bërë që shumë prej tyre të mos të njihen.

Qytetarët shprehen se janë të irrituar nga posterat e plastifikuar elektoralë të vendosur vend e pa vend.

“Është një domthenëie shumë artistike, ata nuk përcjellin mesazhin që duhet. S’janë për ndonjë koncert”, shprehet një prej tyre.

Publicisti Ndue Ukaj shkon edhe më tej, duke marrë shembullin e Suedisë se si në procesin e fundit zgjedhor nuk kishte parë asnjë poster elektoral.

“Është e tepërt të kontekstualizohen këto në varfërinë tonë. Është një fushatë absurde. Unë isha në fushatën e Suedisë dhe ishte vetëm liberale”, thotë ai.

Paraqitja në këtë mënyrë para elektoratit ka tërhequr vëmendjen e psikiatrit Skënder Boshnjaku. Ai ka zgjedhur fotografitë e dy kandidatëve për t’i analizuar dhe shpreh habinë se si këto dy figura aq të njohura, janë shndërruar në njerëz të panjohur.

“Është një formë e propagandimit, sikur tek ne kërkund nuk është. Është një formë e hijezimit të provincializmit, ndotjes së ambjentit. Është një hipokrizi prezantimi. Kush janë këta njerëz që u bënë kaq të rinj e të bukur?”, deklaron Boshnjaku.

Kandidatët për deputetë në Kuvendin e Kosovës janë fotografuar nga fotografë të njohur kosovarë. Bashkim Hasani e heq fajin nga vetja duke thënë se gjatë shtypjes nuk janë përdorur ngjyrat e mjaftueshme.

“Nuk janë përpunime të klasifikuara, por në mungesë të ngjyrave posterat janë bërë gabim. Unë kam kërkuar që të ndërrohen”, thotë Hasani.

Me përjashtim të lëvizjes “Vetëvendosje” dhe partisë Fryma e Re, të cilës i ishin prishur negativët, kandidatët e partive të tjera për deputetë nuk kursyen as shportat e mbeturinave e as ballkonet e shtëpive për t’i vendosur ato.

Ky investim, i cili kushton, vështirë se mund t’i kthehet në përfitim 1265 kandidatëve, pasi cdo ulëse synohet nga 12 prej tyre.

Top Channel