Kutia e votimit është shpresa e vetme për një kategori njerëzish shumë të varfër në Kosovë.

Familja Zuka jeton pranë zonës së hekurudhave në Prishtinë. Megjithatë lokomotiva e mbijetesës nuk i ka tërhequr ata dhe aq larg. Shtëpia, nëse quhet e tillë dhe jetesa e rëndë u ka shkaktuar dhimbje të vazhdueshme. Lagështia ka ndikuar shumë.
 
Ata për tetë vjet kanë pasur shumë halle dhe e djali i tyre i porsalindur ka mbijetuar vetëm gjashtë muaj. Ndërkaq vajza është e sëmurë.

Solemniteti i votimit për ta nuk është sikurse për të gjithë të tjerët.
Ata shpresojnë se një ditë fituesit e këtyre zgjedhjeve të kujtohen dhe t’u sigurojnë një shtëpi.

Në këto kushte jetojnë edhe shumë familje të tjera të kësaj zone.  
Megjithatë, të dielën  ata do t’u drejtohen kutive të votimit.

Mbeturinat tregojnë kufirin ndërmjet shqiptarëve dhe komunitetit rom. Por, sofra e varfër dhe dëshira për të votuar i bashkon ata.
Lufta për mbijetesë është e ashpër. Kushtet e tyre kanë rrezikuar edhe shëndetin e fëmijëve.

Me komunitetin serb diferenca e dy familjeve të tjera është më e madhe. Në enklavat serbe është vështirë të gjesh familje të varfra. Jeta e serbëve duket me normale edhe pse ankesat e tyre nuk mungojnë. Një banor serb thotë ende nuk ka vendosur nëse do të dalë në votime. Ai nuk pret ndryshime të mëdha.  

“Ende nuk e kam vendosur nese do te dal te votoj. Populli eshte bllokuar nga kriza dhe nga zhvillimet politike. Ne institucionet aktuale une nuk kam aspak besim”, thotë serbi Dragan Stanisavleviç

Madje atij, e zemeron fakti se përse një TV shqiptar vjen në Kosovë. Sipas tij shteti shqiptar po ndërhyn në Kosovë e cila sipas tij, ende është pjesë e Serbisë.

 “T’ju them edhe kete aspak nuk me pelqen se pse duhet qe nje tv nga Shqipëria të vijë ketu. Mendoj që kjo është Kosovë e jo Shqipëri ende”, thotë më tej ai.

Të dhënat e Ministrisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale për çdo vit rreth 25 mijë të rinj kosovarë arrijnë moshën për punësim. Rreth 36 mijë familje jetojnë nga ndihmat sociale, ndërkohë më shumë se 300 mijë persona kërkojnë punë. Sipas raporteve te ndryshme, faktori kryesor që kërcënon stabilitetin e Kosovës është pikërisht papunësia dhe varfëria.  Bazuar në paralajmërimet e PNUDvarfëria madje kërcënon edhe marrëdhëniet ndëretnike.  Faktor tjetër rreziku, mbetet edhe shtimi i vullneti për të protestuar për arsye ekonomike. Kjo ka bërë që niveli i kënaqshmërisë së qytetarëve karshi institucioneve për çdo vit të shënojë rënie.

Top Channel