Në ditën e katërt të saj ka hyrë greva e urisë në burgjet greke ku marrin pjesë deri tani më shumë se 1200 të burgosur.

Lëvizja e protestës, në 26 nga 33 burgjet e vendit, ka filluar qysh prej datës 29 nëntor, kur 9000 nga gjithsej 12600 të burgosur që ka Greqia, kanë filluar të mos pranojnë ushqimin, ndërsa i kanë çuar një peticion Ministrisë së Drejtësisë me kërkesat e tyre.

Pasi nuk kanë marrë asnjë përgjigje dhe pas vdekjes së një të dënuari bullgar në burgun e Kasavetias pranë Selanikut, ata kanë filluar grevën masive të urisë që është përshkallëzuar në burgun e Korfuzit me qepjen e gojës prej shtatë të burgosurve.

Sipas informacioneve të pakta që vijnë në dritë në grevën e urisë si dhe në mospranimin e ushqimit, marrin pjesë edhe një numër i madh shtetasish shqiptarë. Vlerësohet se nga 7300 të huaj, rreth 3000 shqiptarë vuajnë dënimet në burgjet greke.

Në peticionin me kërkesa midis të tjerash të burgosurit protestojnë ndaj kushteve çnjerëzore në qeli, kërkojnë ekzistencën e mjekut në çdo burg, uljen e disa dënimeve të pajustifikueshme, mbylljen e burgjeve të fëmijëve, mundësinë që të huajt që duan të kryejnë dënimin në vendin e tyre etj.

Organizata humanitare dhe Lëvizja e Iniciativës për të Drejtat e të burgosurve organizojnë miting proteste në datën 14 dhjetor në Athinë dhe Selanik.

Megjithëse janë votuar tre projektligje të reja në dy vitet e fundit të burgosurit konsiderojnë se pothuajse asgjë s’ ka ndryshuar në burgjet e vendit që mbajnë rreth 35% më shumë se kapaciteti i tyre.

Top Channel