Një ditë para zgjedhjeve situata ne Mitrovicë duket e qetë.Por rajoni  me probleme të natyrës etnike edhe këtë herë po përjeton të njëjtin fat për sa i përket gatishmërisë së qytetarëve serb për të marrë pjesë në zgjedhje.

Më shumë se qytetarët e thjeshtë, janë përfaqësuesit radikal të serbëve të tri komunave veriore të cilët për aq kohë sa ka zgjatur fushata zgjedhore kanë bërë presion mbi qytetarët për të mos votuar. Sidoqoftë KQZ-ja ka kryer punën e saj. Sipas zyrtarëve të KQZ-së në pjesën veriore të Mitrovicës,  dhe në tri komunat veriore të banuara me serb, Leposavic, Zubin Potok dhe Zvecan do të hapen 21 qendra votimi një pjesë e të cilave do të jenë të lëvizshme.

Një punë të rëndësishme për sa i përket mbarëvajtjes së procesit zgjedhor në tërësi, veçanërisht në veri pritet ta ketë  policia e kosovës. Sipas planit operativ të hartuar pas vlerësimit të rrezikshmërisë, vetëm në rajonin e Mitrovicës do të jenë të koncentruar rreth 1000 policë, 250 prej tyre në komunat e banuara me pjesëtarë të komunitetit serb.  
 

Pak ditë më parë në veri u vra një anëtar i KQZ-së nga komunitetit boshnjak. Bëhet fjalë për një vrasje të kryer në mënyrë profesionale dhe sic thonë burimet policore, hetuesit përveç që kanë intervistuar disa dëshmitarë nuk kanë arritur t’i identifikojnë autoret e këtij krimi.

Bazuar edhe në kërcënimet që janë bërë nga  përfaqësuesit politik serb brenda dhe jashtë vendit, policia nuk e mohon mundësinë që gjatë ditës së votimeve të ketë reagime nga ana e serbëve lokal.
 
Mitrovica numëron më 86834 votues, 32 mijë qytetarë me të drejtë vote janë në tri komunat veriore të cilat vazhdimisht kanë bojkotuar procesin zgjedhor në Kosovë. Pjesëmarrja e tyre në këto zgjedhje do të rriste numrin e deputeteve serb në kuvend.
 

Top Channel