Gjermania shprehu besimin e plotë në sistemin gjyqësor të Kroacisë pas arrestimit të ish-kryeministrit Ivo Sanader, i akuzuar për korrupsion.

Gjatë konferencës për Ballkanin që zhvillohet në Berlin, ministri i jashtëm Guido Westervelle u tha gazetarëve se Kroacia është në etapën e fundit të rrugës drejt BE-së.

“Kemi besim të plotë në sistemin gjyqësor dhe besojmë se çdo gjë do të arrihet me korrektësi dhe në përputhje me ligjin”, u shpreh Westervelle.

Ish-kryeministri kroat që akuzohet për korrupsion u arrestua në Austri. Prokurorët kroatë thonë se Sanader gjatë kohës që ishte në pushtet në vitet 2004-2009 kishte synuar ngritjen e një fondi për partinë HDZ.

Pas takimit me homologun kroat Gordan Jandrokoviç, Westervelle tha se Gjermania mbështet përpjekjet e Kroacisë për të qenë pjesë e BE.

“Kroacia është në etapën e fundit të rrugës drejt anëtarësimit në BE dhe Gjermania do të mbështesë këto përpjekje”, theksoi ministri i jashtëm gjerman.

Top Channel