Shefi i misionit EULEX, Xavier Bout de Marnhac, duke folur për zgjedhjet e parakohshme që mbahen nesër në Kosovë, ka deklaruar pret që ato të kalojnë në mënyrë të qetë.

“Kemi besim të plotë se policia e Kosovës do të kryejë më së miri detyrat e saj në ditën e zgjedhjeve. Nuk presim probleme, por jemi të gatshëm për cdo situatë”, ka pohuar De Marnhac.

Deklaratën e tij, De Marnhac e ka bërë në një intervistë për mediat serbe, ku ndër të tjera ka folur për krimin e organizuar dhe korrupsionin, që sipas tij janë probleme konkrete në Kosovë dhe prekin në mënyrë direkte popullsinë.

“Krimi i organizuar dhe korrupsioni janë probleme me të cilat përballet tërë Kosova dhe jo vetëm veriu. Një nga shembujt më të mirë për këtë janë grupet kriminale që bashkëpunojnë në jug dhe në veri të lumit Ibër”, ka deklaruar De Marnhac.

Ai ka nënvizuar se për të pasur sukses ndaj këtij fenomeni është i nevojshëm bashkëpunimi i institucioneve kosovare. “Dua që ata kriminelë të kapen, kudo që të ndodhen”, ka shtuar De Marnhac.

Top Channel