Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka publikuar të dhënat statistikore që kanë të bëjnë me zgjedhjet e ditës së diel.

Kështu, sipas KQZ, numri i votuesve në këtë proces do të jetë 1 milion e 630 mijë e 636 persona, të cilët do të hedhin fletët e votimit në 746 qendra.

Sipas KQZ-së, nga këta persona, 34.521 kanë ndryshuar adresën e vendbanimit, ndërsa 6165 janë fshirë nga lista pasi kanë ndërruar jetë.

Ndërkohë, numri i subjekteve politike që do të garojnë në këto zgjedhje do të jetë 29, ndërsa ai i kandidatëve që do të luftojnë për 120 vende në Parlament do të jetë 1.265.

Sipas KQZ, nga 120 deputetë, 100 prej tyre do të zgjidhen në mënyrë direkte, ndërsa 20 të tjerët janë në dispozicion të komuniteti serb dhe pakicave të tjera.

Numri i vëzhguesve të akredituar nga KQZ është 32.021, prej të cilëve 26.059 nga partitë, 493 nga organizatat ndërkombëtare, 531 nga ambasadat dhe 5108 nga OJQ-të.

Top Channel