Ish-kryeministri kroat Ivo Sanader, aktualisht deputet në Kuvendin e Kroacisë, është arratisur nga vendi pas kërkesës së prokurorisë për heqjen e imunitetit, me qëllim arrestimin e tij.

Lajmin e bëjnë të ditur agjencitë kroate, sipas të cilave Sanader akuzohet për shpërdorim të detyrës gjatë kohës që ka qenë kryeministër, duke favorizuar kompaninë “Fimi Media”.

I gjendur nën akuzë, ai ka lënë Zagrebin sot bashkë me të bijën Bruna, përmes pikës së kalimit të Breganës, në kufirin me Slloveninë.

Nga ana e saj, policia kroate ka sqaruar se në momentin e daljes nga vendi, organet policore nuk kanë pasur bazë juridike për ta arrestuar.

Nga ana tjetër, kryeministri slloven Borut Pahor ka konfirmuar hyrjen e Sanader në shtetin slloven, por nuk ka qenë në gjendje të konfirmojë nëse ai ka kaluar më pas për në Austri, ku ka prona, si dhe nënshtetësi austriake.

Top Channel