Në pjesën e tretë të Top Shoë në mbrëmjen e sotme ishte ftuar kreu i koaliconit Aleanca për Kosovën e Re, Behgjet Pacolli i cili tha se ky koalicion është koalicioni i njerëzve të ndershëm e të papërlyer në skandale.

Pacolli premtoi një rrijte ekonomike deri në 10 përqind nëpërmjet reformave qeveritare që do të krijojnë lehtësira për bizneset vendase dhe të huaja të cilat sipas tij, deri më tani ndodhen në vështirësi si pasojë e politikave të qeverisë.

“Partitë kontrollojnë biznesin. Biznesi është i pamundur të zhvillohet dhe ne duhet ta çlirojmë biznesin nëpërmjet doganave e TVSH-së. Do të promovojmë investitorët të huaj dhe do të reduktojmë numrin e ministrive në 11 e pas disa viteve vetëm 6 ministri, qeverisja do të decentralizohet, jo në qendër”, deklaroi Pacolli.

Zoti Pacolli premtoi se me ardhjen e AKR në pushtet do të krijohen dy zona të lira ekonomike, njëra në veri në kufi me Serbinë dhe tjetra në jug në kufi me Shqipërinë.

“Krijimi i dy zonave të lira ekonomike, në veri dhe në jug do t’i japë frymëmarrje ekonomisë”, tha Pacolli.

Lideri i AKR u shpreh i hapur për koalicon me të gjitha ato parti të cilat janë gati që në qeverisjen e ardhshme të implementohet krejtësisht programi i AKR.

“Ne duhet të bëjmë koalicion me dikë, e jemi të hapur për çdo parti, por me një kusht, të implementohet 100 përqind programin e AKR-së”, tha Pacolli.

Zoti Pacolli në fund të fjalës së tij tha se AKR dhe Vetëvendosja kanë ngjashmëri në programin e tyre, ajo që i dallon këto 2 forca sipas tij, është rruga e realizimit të tij. Për bashkimin kombëtar Pacolli tha se ai është një proçes i gjatë që ka nisur dhe që de fakto është realizuar, por de jure sipas tij nuk mund të ndodhë tani e duhet të kalojë një kohë e gjatë, kur si Shqipëria ashtu edhe Kosova të jenë pjesë e Bashkimit Europian.

Top Channel