Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaci anuloi pjesëmarrjen e tij të paralajmëruar në tubimin e pasdites në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë.

Pas fillimit të tubimit disa gurë janë hedhur në drejtim të dritareve të godinës ku po zhvillohej aktiviteti elektoral i partisë në pushtet.

Pas këtij incidenti, kryetari Thaci nuk u shfaq të mbante fjalimin e tij sic ishte njoftuar në komunikatën e PDK-së këtë pasdite.

Por tubimi vijoi me deklaratat e aktivistëve të tjerë, të cilët menjëherë akuzuan Lidhjen Demokratike të Kosovës për sulmin me gurë.

Madje, sipas tyre, aktivistë të LDK-së ishin gati të qëllonin me gurë në drejtim të kryetarit Thaci nëse ai do të shfaqej në tubim.

Anëtari i PDK-së, Shemsi Veseli konfirmoi mospjesëmarrjen e Thacit, duke akuzuar LDK-në për incidentin. Ai tha se disa huliganë janë të gatshëm të sulmojnë PDK-në.

Në vendngjarje ndodheshin forca policore, ndërkohë që në rrugë disa persona, kryesisht minorenë, brohorisnin emrin e kryetarit të LDK-së Isa Mustafa.

Lagjia “Kodra e Trimave” në kryeqytetin kosovar njihet si një bastion i partisë që deri dje bashkëqeveriste me PDK-në.

Top Channel