Për gati një dekadë banorëve qytetit të Klinës dhe 13 fshatrave përreth në çezmat e tyre u vjen ujë i ndotur.

Ndërtimi paslufte i grumbulluesi të ujit nuk e zgjidhi problemin e furnizimit për më shumë se 15 mijë banorë. Ky vend njihet nga banorët si “pusi i Jarinës”, por ai ndodhet pranë rrjedhës së lumit Klina, që shpeshherë e bën të ndotur.   
 
Inxhinieri sanitar nga Klina, Hil Dulaj shpjegon se uji është i ndotur sepse përveç baktereve përmban edhe elemente kimike.
 
Nënkryetari i komunës shpjegon se po shqyrtohen disa mundësi që ky problem të zgjidhet. E para, sipas tij, kanë filluar hulumtime në territorin e Klinës që të gjendet ndonjë vend nga ku mund të sigurohet uji.
 
I kontaktuar përmes telefonit kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova tha se varianti më i mirë është që Klina të furnizohet nga burimet e veta, ashtu siç kanë konstatuar edhe profesionistët e kësaj fushe.
 
Por ndërkaq banorët ndoshta si shumë të tjerë rëndom nëpër Kosove e vuajnë këtë krizë. Një prej tyre, Smajl Dushi ka hapur pus në oborrin e tij dhe ka kohë që e ka fjetur mendjen e nuk kërkon më zgjidhje te shteti. Madje, ai ka përmbushur edhe amanetin e të atit, që të ndërtojë këtë çezmë përgjate rrugës në qendër të qytetit. E furnizon nga pusi i tij, sepse qyteti ka nevojë për ujë më shumë se kurrë.

Top Channel