SHBA-Jemen, pakt sekret kundër Al Kaedës

04/12/2010 14:40

Dokumentat e publikuara në Wikileaks tregojnë se si Jemeni lejoi një sulm ajror sekret amerikan kundër një grupi militantësh që dyshohet se ishin anëtarë të rrjetit terrorist të Al Kaedës.

Presidenti Ali Abdullah Saleh deklaroi se sulmet ishin kryer nga ushtria jemenase, ndërkohë që sipas mesazheve sekrete, ato mbanin firmën e ushtrisë amerikane.

Dosjet e publikuara tregojnë gjithashtu se Saleh refuzoi një ofertë për të vendosur trupa amerikane në Jemen. SHBA druhen se Jemeni është kthyer në parajsën e re të Al Kaedës në Gadishullin Arab.

Mesazhet tregojnë se si Saleh mori përsipër përgjegjësinë për dy sulme ajrore amerikane të kryera në dhjetor të vitit 2009.

Vetëm pak ditë pas sulmit të dytë të 24 dhjetorit, presidenti Saleh i tha gjeneralit amerikan David Petraeus: “Ne do të vazhdojmë të themi se bombat janë tonat, jo tuajat”.

Top Channel