Përfaqesuesi i Posaçëm i Bashkimit Europian në Kosovë, Pieter Feith, “denoncoi” në Bruksel rrezikun e pajisjes së shqiptarëve të kosovës me pasaporta shqiptare ndërsa raportonte në Komitetin e Jashtëm të Parlamentit.

“Në lidhje me Shqipërinë, marrëdhëniet janë, siç mund ta prisni, të ngushta. Edhe në fushën ekonomike, Shqipëria është një partner i rëndësishem për Kosovën. Shqipëria po e ndihmon Kosovën në shumë aspekte, gjithashtu edhe politikisht, për të fituar sa më shumë njohje ndërkombëtare. Ka një numër të caktuar lidhjesh tregtare, por fatkeqësisht, më duhet të shtoj se ka shpesh edhe lidhje të natyrave të paligjshme nëpërmjet veprimeve të cilat ne duhet t’i vëzhgojmë nga afër. Ka edhe levizje të njerëzve në mes dy vendeve dhe ka sigurisht edhe mundësi që kosovarët të pajisen me pasaporta nga Shqipëria, e kjo për sa kohë situata aktuale nuk përmirësohet përsa i përket proçesit të liberalizmit të vizave”, deklaroi Piter Feith.

Feith dha një pasqyrë të zhvillimeve në Kosovë, e cila sipas tij meriton një qeveri të pastër, pasi vendi vuan nga imazhi i keq. Ai foli dhe mbi proçesin e zgjedhjeve lokale duke dhënë mesazhe si ndaj komunitetit shqiptar ashtu dhe ndaj minoritetit serb.

“Nuk duhet të ketë hile në votë dhe nuk duhet të ketë as qendrime veçanërisht nga liderët politik të komunitetit shqiptar, të cilët paralajmërojne që tani për manipulime, kur ende nuk ka ndodhur asgjë. Kjo po krijon një profeci më vete, një atmosferë të keqe e të dyshimtë dhe mund të na çojë në një drejtim të gabuar. Më vjen vërtet keq që ka thirrje për bojkot nga strukturat paralele dhe kryebashkiakët paralelë në Veri, çfarë nuk ndihmon aspak dhe nuk është ajo çfarë priste Bashkimi Europian. Deklarata e Presidentit Tadiç në samitin e OSBE-së se ‘çdo ndryshim i realiteteve në terren do të nënkuptonte fundin e dialogut me Prishtinën’ është befasuese, sepse mendoj se realitetet udhëhiqen në terren nga qytetarët e jo nga qeveritë”, tha më tej Feith.

I dërguari i posaçëm i BE-së në Kosovë përmendi dhe  krimin e organizuar, korrupsionin në nivele të larta, privatizimet, gjyqësorin, e shumë çështje të tjera problematike për vendin, por këto fenomene, sipas Feith ekzistojnë në Kosovë ashtu sikundër dhe në vendet e tjera të rajonit.

Pergatiti Arta Tozaj

Top Channel