Miratimi i ligjit për regjistrimin e popullsisë u shoqërua me momente tensioni mes deputetëve shqiptarë në parlamentin maqedonas.

Deputetët shqiptarë të opozitës dhe ata të BDI-së në pushtet u fyen dhe gati sa nuk u përleshën fizikisht me njëri-tjetrin, pasi opozita, e konsideroi ligjin si përjashtim të 250 mijë shqiptarëve nga regjistrimi.

Partitë opozitare shqiptare kërkojnë rritjen e afatit të mbajtjes së proçesit dhe rritjen e numrit të shqiptarëve në entin shtetëror të statistikave.

“Duke votuar këtë ligj BDI mohoi regjistrimin e mbi 250 mijë shqiptarëve nënshtetas të Maqedonisë të cilët përkohësisht punojnë dhe jetojnë në Europë dhe në Amerikë”, deklaroi Imer Selmani, kryetar i partisë Demokracia e Re.

Ashpër u deklarua edhe PDSH e cila tha se do të ftojë shqiptarët të bojktojnë proçesin e regjistrimit.

“Nuk u morën parasysh kërkesat e Partisë Demokratike Shqiptare dhe ne ripërsërisim qendrimin tonë se do t’i ftojmë shqiptarët që të bojktohet regjistrimi”, deklaroi deputeti i PDSH, Imer Aliu.

Ndërkohë deputetët e BDI-së në aleancë me kryeministrin Gruevski shprehen se ligji nuk dëmton interesat e askujt.

Në Maqedoni regjistrimi nuk kryet thjesht për statistika pasi në bazë të marrëveshjes së Ohrit, komuniteti që tejkalon 20 përqindëshin fiton të drejta specifike.

Top Channel