Sekretari shtetëror serb në të ashtuquajturën Ministri për Kosovën, Oliver Ivanoviç konsideron se hapja e qendrave të votimit në veri të Kosovës për zgjedhjet e 12 dhjetorit mund të nxisë incidente.

Sipas tij, çdo qëndrim që është në kundërshtim me ato të qeverisë së shtetit serb, kur është fjala për zgjedhjet, mund të trajtohet si provokim për popullatën.

“Qëndrimi ynë është se qendrat e votimit në çfarëdo hapësire publike në veri të Kosovës, mund të paraqesin arsye për incidente”, ka thënë të martën në veri Ivanoviç.

Ai shtoi se organizatorët e këtyre zgjedhjeve sipas të gjitha gjasave do të përqendrohen në lagjet multietnike, siç janë “Lagjja e boshnjakëve”, “Tre rrokaqiejt”, “Suhadolli” dhe “Kodra e minatorëve”.

“Është shumë e rëndësishme që kudo që ndodhen këto qendra të votimit, qytetarët që dëshirojnë të kenë mundësinë e votimit, por mos të jenë të vendosura aty ku mund të jenë halë në sy për serbët, të cilët kanë mendim krejtësisht të kundërt në lidhje me këto zgjedhje”, tha Ivanoviç.

Top Channel