Athina zyrtare ndodhet në tension për shkak të 1758 dokumentave të fushave të ndryshme që do të publikohen në faqen e internetit Wikileaks.

Top Channel ka mësuar se në fundjavë në Athinë është zhvilluar një mbledhje e posacme e drejtorive të Ministrisë së Jashtme.

Shefat e sektorëve kanë diskutuar lidhur me përballimin e reagimeve të brendshme dhe të jashtme që mund të vijnë pas publikimit të dokumentave.

Askush nuk e di se cfarë përmbajnë këto dokumenta, por i gjithë shteti helen është në alarm.

Sot është zhvilluar një mbledhje tjetër ku kanë marrë pjesë përfaqësues të shërbimeve sekrete, Ministrisë së Brendshme dhe forcave të armatosura.

Ekspertët i druhen dokumentave që kanë të bëjnë me rolin e Greqisë në Ballkan, marrëdhëniet e ndërlikuara me faktorin shqiptar në Maqedoni, kontaktet me Turqinë, Serbinë, etj.

Ata janë të mendimit se publikimi i këtyre dokumentave mund të vërë në rrezik jetën e bashkëpunëtorëve të qeverisë greke në vendet e rajonit dhe për këtë arsye kanë nisur hartimin e programeve mbrojtëse.

Ndërkohë, kanë nisur procedurat për ndryshimin e kodeve të sistemeve të sigurisë, si dhe janë kufizuar kontaktet me mediat.

Gjithësej pritet të publikohen 1758 dokumente, 180 prej të cilave kanë të bëjnë me Shqipërinë dhe faktorin shqiptar në Ballkan, ndërsa të tjerat me cështjet e brendshme të Greqisë dhe ndikimin e saj në vendet e tjera të rajonit.

Top Channel