Nuk ka asnjë kthim mbrapa. Afati i fundit për vendosjen e kasave për të gjitha bizneset me xhiro vjetore mbi 5 milionë lekë do të jetë 31 dhjetori i këtij viti.
Zyrtarë të administratës tatimore sqarojnë për “Shqip” kontradiktat e krijuara me dy vendimet e qeverisë, ku njëra thotë për datën 28 shkurt si afat për rimbursimin e çmimit të kasës për biznesin e vogël dhe tjetra lidhet me periudhën e fundit të instalimit të pajisjes fiskale.
Sipas tatimeve, është e përcaktuar qartë se nuk do të ketë afat të ri për vendosjen e kasave fiskale.
Sipas vendimit të qeverisë, miratuar dy vjet më parë, të gjitha bizneset me xhiro vjetore mbi 5 milionë lekë duhet të pajisen me kasa fiskale brenda datës 31 vjetor 2010.
“Sa i takon vendimit tjetër, ai prek vetëm afatin për bizneset e vogla që përfshihen në procesin e instalimit të kasave me kushtin e rimbursimit të çmimit deri me 44 mijë lekë. Pra, brenda datës 28 shkurt, bizneset e vogla kanë kohë të paraqesin kërkesat e tyre për të përfituar nga vendimi që u jep të drejtë të rimbursojmë çmimin e pajisjes. Kurse 31 dhjetori është afati për instalimin e kasave për të gjitha bizneset”, sqaruan specialistë të administratës së përgjithshme tatimore.
Top Channel