Informacione kontradiktore qarkullojnë në Maqedoni lidhur me ndërhyrjen e papritur që forcat e policisë bënë në ambjentet e televizionit A1.

Nga ana e tyre mediat deklarojnë se policia ka dhunuar gazetarët e televizionit për shkak të prirjeve të tij pro-opozitare.

“Gazetarët ishin të torturuar nga ana e policisë dhe trajtoheshin sikur ishin kriminelët më të mëdhenj”, ka deklaruar Mladen Cadikovski, kryeredaktor në A1.

Ndërsa nga ana tjetër, Ministria e Brendshme deklaron se bastisja është kryer në kuadër të një hetimi të gjerë kundër krimit financiar.

“Deklaratat për tortura janë skenare të opozitës për të manipuluar opinionin. Bëhet fjalë për qindra mijëra euro të fituara ilegalisht”, ka deklaruar ministrja Gordana Jankulovska.

Televizioni A1 njohet si mbështetës i opozitës maqedonase dhe shpesh herë ndaj tij janë hedhur akuza nga vetë kryeministri Nikolla Gruevski.

Top Channel