Biznesi nuk njeh konflikt, sidomos kur janë politike, nuk njeh kufij, dallime racash apo kulturash, por mjafton që palët të gjejnë interesin e përfitimit ekonomik, kurse të tjerat nuk kanë rëndësi.
Duket se intensifikimi i raporteve mes biznesit shqiptar dhe atij serb kanë detyruar qeveritë e dy vendeve të rishikojnë nga e para të gjitha marrëveshjet dhe të rivendosin kontaktet për lidhjen e disa linjave komunikimi, të shkëputura që nga koha e komunizmit, që vijuan edhe pas ’90-s me luftën në Kosovë.
Është pala shqiptare ajo që shtrin dorën e para, pavarësisht pozicioneve, duke treguar vlerat emancipuese të bashkëpunimit.
Zv.kryeministri dhe ministri i Ekonomisë, Ilir Meta, i ftuar në pavijonin ku bizneset serbe kishin paraqitur produktet e tyre, organizuar nga ambasada e Serbisë në Tiranë, pati një takim me përfaqësues të këtij vendi, duke nisur nga ambasadori, zv.kryetari i dhomës dhe me bizneset e ndryshme.
Në fjalën e tij, Meta tha se marrëdhëniet mes Serbisë e Shqipërisë po fitojnë një dinamikë gjithnjë e më të qartë, pasi integrimi europian i dy vendeve dhe i gjithë rajonit është një objektiv i përbashkët.
“Shqipëria e shikon Serbinë si një partnere shumë të rëndësishme për bashkëpunimin rajonal dhe për integrimin europian të gjithë rajonit. Marrëdhëniet midis dy vendeve në të kaluarën kanë qenë tepër të vështira, por sot ato jo vetëm që janë më se të normalizuara, por edhe po fitojnë një dinamikë gjithnjë e më të lartë, pasi ne kemi vendosur një objektiv të përbashkët, që është integrimi europian i vendeve tona dhe i vendeve të rajonit tonë”, bëri të ditur numri dy i qeverisë shqiptare.
Top Channel