Cana, “truproja” e Gutit në derbin me Beshiktashin

27/11/2010 14:20

Ishte një prej njerëzve që u gëzua më tepër për rikuperimin rekord të Lorik Canës. Forca dhe sakrifica që mesfushori shqiptar shfaq në fushën e lojës, është një garanci për trajnerin e Gallatasarait, George Haxhi, përpara derbit të së dielës me rivalët e Beshiktashit.

Ndryshe nga paraardhësi i tij, Frenk Rajkard, që prej momentit kur mori drejtimin e skuadrës, ai theksoi se 27-vjeçari do të ishte një prej kolonave të verdhekuqve në këtë sezon, por edhe në të ardhmen.

Gjatë ditës së djeshme, tekniku rumun ka zhvilluar tri orë analizë pas seancës stërvitore, ku ka ilustruar me pamje filmike pikat e forta dhe të dobëta të kundërshtarëve. Në këtë mbledhje me titullarët, Haxhi është përqendruar shumë te shqiptari, të cilit i ka kërkuar që të jetë “truproja” e ish-lojtarit të Realit të Madridit, Guti (Hoze Maria Gutierrez Hernandez).

Spanjolli 34-vjeçar cilësohet si “truri” i Beshiktashit dhe detyra e Canës është që ta neutralizojë. “Guti është truri i tyre në fushën e lojës, ai duhet frenuar”, ishin fjalët që Haxhi i tha kuqeziut. “Strategjia ime është që ti, Lorik, të kesh rolin për ta neutralizuar. Duhet ta ndjekësh në çdo cep të fushës. Nuk duhet ta humbasësh nga sytë në çdo lëvizje që ai bën. Nuk duhet ta nënvlerësosh për asnjë moment, qëndroi pranë edhe atëherë kur mund të mendosh se nuk mund të jetë aspak i rrezikshëm”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA