Brigel: Kalova shkëlqyeshëm

27/11/2010 14:10

Hans-Peter Brigel vazhdon të ketë nostalgji për periudhën kur ka punuar në krye të përfaqësueses shqiptare. Trajneri gjerman, i cili mbetet më i suksesshmi në krye të stolit kuqezi (13 pikë në Grupin 2 kualifikues të Botërorit 2006: në grupin ku luanin Ukraina, Turqia, Danimarka, Greqia kampione e Europës në fuqi, Gjeorgjia dhe Kazakistani, skuadra jonë u rendit e pesta), ka rikujtuar aventurën me Kombëtaren.

Sipas tij, fakti që në vitin 2002 pranoi të punonte në Shqipëri (ku qëndroi deri më 2006-n), konfirmon se është një aventurier. 55-vjeçari tha: “Prej reputacionit të keq që kisha nuk mund të punoja në Gjermani. Viti 1994 ka qenë hera e fundit që kam drejtuar një skuadër në vendlindje, por idetë e mia nuk kuptoheshin; asnjëherë nuk arrita të përshtatesha si duhej.

Natyrisht do të më pëlqente t’i rikthehesha punës si trajner. Jam një person aventurier, shkoj atje ku të gjithë të tjerët kanë frikë. Shembulli më i mirë që mund t’ju jap është Shqipëria. Në këtë vend kam përjetuar një kohë të shkëlqyer”. Ai sqaroi edhe keqkuptimin me emrat “Brigel” të fëmijëve shqiptarë, që mendohej se ishin vënë për nder të trajnerit pas suksesit me përfaqësuesen.

“Kjo ngjarje nuk lidhet me periudhën kur punova si trajner, por që prej viteve ’80: Gjermania luajti në Shqipëri, të gjithë ishin të ekzaltuar, stadiumi ishte plot. Më vonë, kur mora drejtimin e Kombëtares, takova një burrë, i cili ia kishte vënë emrin djalit ‘Brigel’, pasi ia kishte premtuar babait të tij, i cili ishte një fans i madh i imi”, përfundoi ish-kampioni i Europës në vitin 1980.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA