Ende nuk ka arritur në Gjykatën e Lartë për Kundërvajtje dosja e deputetes së Parlamentit të Shqipërisë Albana Vokshi.

Deputetja është kthyer në një personazh të njohur tashmë në Kosovë, aq sa edhe zyrtarët e Gjykatës së Lartë në Prishtinë, më shumë janë të informuar nëpërmjet mediave mbi rastin e saj, sesa në aspektin proçedurial.

Gjithçka që zyrtarët e kësaj gjykate kanë në dorë, është një ankesë lidhur me incidentin e deputetes Vokshi. Por çështja e saj e nisur ne Prizren, duket se, ende është rrugës drejt Prishtinës.

Ndërkohë, pezullimi nga puna i katër pjesëtarëve të policisë kufitare në Vermicë lidhur me incidentin e ndodhur nga njohësit e fushës së sigurisë vlerësohet si rast i paprecedent.

“Uroj që të mos dënohen se e kanë kryer detyrën ashtu siç duhej. Është bërë një proçedurë me nxitim”, është shprehur Agim Musliu, ekspert i Çështjeve të Sigurisë.

Sipas Musliut, policia në këtë rast është treguar shumë e butë, pasi kur deputetja Vokshi ka kaluar pikën kufitare pa u ndalur në pikat e kontrollit në bazë të ligjit policia kufitare ka patur të drejtë të përdorë edhe armët.

“Në raste të caktuara kur kalohet kufiri me dhunë, porlicia kufitare ka mundur të punojë shumë më vrazhdë duke shkuar edhe deri në përdorim të armës”, tha Musliu.

Musliu u bën thirrje pjesëtarëve të uniformave blu që ky rast të mos e zbehë profesionalizimin e policisë më të re në botë, e cila në shumë vlerësime ka treguar sukses. Në të njëjtën kohë kërkohet zbardhja e këtij rasti deri në detajin e fundit.

Ndërkohë, burime të Top Channel pranë Gjykatës së Lartë për Kundërvajtje në Prishtinë thonë se javën e ardhshme duhet të merret patjetër vendimi përfundimtar lidhur me rastin e deputetes shqiptare Albana Vokshi.

Top Channel