Vetëm pak kohë pas thirrjes së presidentit në detyrë Jakup Krasniqi, që zgjedhjet e 12 dhjetorit të vëzhgohen edhe nga mekanizmat ndërkombëtarë, Rrjeti Evropian i Organizatave të Monitorimit të Zgjedhjeve i është përgjigjur ftesës për të monitoruar proçesin e jashtëzakonshëm zgjedhor, në të cilin ka hyrë shtetit i ri.

Rreth 150 vëzhgues nga vende të ndryshme të botës, si SHBA, Britani e Madhe, etj., do të jenë të angazhuar në “Ditën e Zgjedhjeve”, ndërsa edhe fushata zgjedhore që fillon më 1 dhjetor do të vëzhgohet prej tyre.

Sipas drejtuesve të ENEMO-s, të cilët monitoruan edhe zgjedhjet lokale të 2009-ës, qëllimi është nxjerrja e rekomandimeve për arritjen e standarteve evropiane për zgjedhje të lira.

“Qëllimi i misionit tonë këtu është të vëzhgojmë se si do të shkojnë zgjedhjet në Kosovë dhe nëse do të ketë mangësi, të përmirësohen në mënyrë që të arrihen standartet për zgjedhje ‘të ndershme’ dhe ‘të lira’. Do të bëjmë gjithashtu rekomandime në raportin tonë final, për t’i korrigjuar më vonë ato gabime, në mënyrë që të arrihen kushtet për një nivel të pranueshëm për zgjedhjet e lira në Kosovë”, ka deklaruar Zlatko Vujovic, udhëheqës i misionit të ENEMO-s për Kosovën.

ENEMO gjatë 2009-ës vëzhgoi zgjedhjet lokale në Kosovë, të cilat, sipas raportit të tyre u vlerësuan se kishin përmbushur shumë nga standartet e kërkuara ndërkombëtare.

Top Channel