“E rëndësishme është që të arrihet një rezultat i lartë në organizimin e zgjedhjeve sipas standarteve europiane”. Kështu e ka nisur fjalën e tij në një lidhje direkt nga Prishtina për Top Show kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Zoti Thaçi në fjalën e tij u shpreh se më shumë se gjithçka tjetër PDK dhe ai vetë janë të interesuar për realizimin e zgjedhjeve të lira, të ndershme në mënyrë që rezultati i tyre të pranohet nga të gjitha forcat politike.

“Zgjedhjet e 12 dhjetorit do të jenë të përgatitura mirë. Të gjitha partitë kanë filluar përgatitjet, kanë formuluar listat zgjedhore, janë duke zhvilluar fushatë të mirëfilltë, Kosova është gati për zgjedhje dhe besoj se do të jenë të lira dhe të ndershme”, tha kryeministri Thaçi.

Më tej duke komentuar situatë e krijuar në politikën kosovare, Thaçi fajësoi ish-aleatin në bashkëqeverisje, LDK-në për largimin nga qeveria, veprim të cilin e quajti si “tinëzar’. Kryeministri tha se mund të vazhdonte të qeveriste në minorancë deri për zgjedhjet e shkurtit, por tha se kjo nuk do të ishte gjeja e duhur për shtetin e Kosovës.

Thaçi shtoi se marrëveshja me LDK në 2007 u nënshkrua për interesat e shtetit të Kosovës dhe se pavarësisht nga akuzat dhe kundërakuzat e kohëve të fundit, bashkëpunimi me të ka qenë korrekt dhe i sinqertë.

“Mund të qendroja kryeministër, të kisha edhe qeverisjen në minorancë, por nuk isha i sigurtë nëse do të ishte zgjidhja më e mirë për vendin dhe për t’u përballur me sfidat që presin shtetin e Kosovës. Me fitoren e PDK në 2007 kam nënshkruar marrëveshje koalicioni me LDK për interesat e Kosovës. LDK ka patur më shumë pushtet gjatë koalicionit me PDK se sa kur ajo vetë ishte fituese në zgjedhje dhe bashkëqeveriste me AAK. Por bashkëpunimi ka qenë korrekt dhe i sinqertë”, u shpreh Thaçi.

Në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese që konstatoi se zoti Sejdiu, në atë kohë president dhe kryetar i LDK, kishte shkelur Kushtetutën, Thaçi tha se asnjë marrëveshje apo vendim politik nuk mund të dalë mbi Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

“Asnjë vendim politik nuk mund të qendrojë mbi kushtetutën dhe mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Kur u nënshkrua marrëveshja me LDK Kosova nuk kishte kushtetutë, por një kornizë kushtetuese që mund të interpretohej”, tha kryeministri Thaçi.

Shefi i ezkektutivit kosovar shprehu angazhimin e tij për të zhvilluar një proçes zgjedhor të ndershëm dhe shprehu bindjen se partia e tij do të dalë fitimtare nga zgjedhjet e 12 dhjetorit.

Top Channel