Rama: PS s’është tërhequr, ka bërë lëshime

25/11/2010 21:40

Kryetari i PS, Edi Rama ka deklaruar se opozita nuk është tërhequr asnjëherë nga nismat e saj, por ka bërë lëshime në kuadër të interesave të vendit.

Duke folur në emisionin “Top Story” në Top Channel, Rama është shprehur se Shqipëria po përjeton sot momentin më dramatik në rrugën e integrimit.

“Nuk jemi tërhequr nga asgjë, por kemi bërë një lëshim në funksion të interesave të vendit, që sot përjeton një moment dramatik në rrugën e integrimit, pasi është refuzuar statusi i kandidatit dhe hapja e negociatave për në BE. Është dështimi më i madh që Shqipëria ka njohur që prej 97-ës, të cilin ne nuk e lexojmë me sytë e një pale, që synon të qeverisë vendin, por me sytë e së ardhmes”, ka deklaruar Rama.

Lideri i opozitës ka bërë përgjegjëse për këtë situatë qeverinë aktuale, e cila sipas tij nuk ka pasur asnjë meritë në proceset integruese të deritanishme, por është refuzuar kategorikisht nga Komisioni Evropian, që në raportin e tij ka reflektuar situatën reale në Shqipëri.

“Këtu është fare e thjeshtë të thuhet se arritjet janë procese të zgjatura padrejtësisht për shqiptarët, për shkak të keqqeverisjeve me radhë dhe që ka kulmuar këtë periudhë, me refuzimin e pamerituar për qytetarët, por i merituar për qeveritarët. KE ka dhënë një opinion shumë të rëndë, që është dhe një pasqyrë objektive e gjendjes së vendit”, ka pohuar Rama.

Kryetari i PS ka pranuar kritikat që i adresohen opozitës në raportin e KE, por ai ka theksuar se refuzimi i statusit të kandidatit ka ardhur për një sërë arsyesh të tjera që sipas tij kanë të bëjnë me politizimin e Parlamentit nga partia në pushtet.

“Është e vërtetë që nënvizohet bojkoti i opozitës, por si një detaj në një mori elementësh të tjerë. Në raport thuhet se pavarësisht bojkotit të opozitës, Parlamenti nuk funksionon. Parashtrohen një sërë arsyesh përse Parlamenti nuk funksionon dhe tregohet se si një funksionare abuzon me detyrën”, ka theksuar Rama.

Sipas tij, opinioni i KE duhet të shihet si një detyrë shtëpie për klasën politike shqiptare, në mënyrë që vendi të mos ngelet pas fqinjëve të tij në procesin e integrimit.

“Ne bëjmë një apel që Kuvendi të përmbushë detyrimet që burojnë nga opinioni dhe ta shohë atë si një platformë pune për të mos humbur vitin e ardhshëm trenin tjetër për në BE dhe të mos mbetemi të fundit sic mbetëm për vizat”, ka nënvizuar Rama.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta