
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka deklaruar se nuk do të ketë mocion mosbesimi nga opozita për kryetaren e Kuvendit Jozafina Topalli, por një nismë për shkarkim.
Duke folur në emisionin ‘Top Story’ në Top Channel, Rama u shpreh se “nëse rezoluta qe do propozojm në Kuvend nuk pranohet do të ndërmarrim një nismë për shkarkimin e kryetares së Kuvendit. Nuk ka mocion për kryetaren e kuvendit sepse nuk ekziston kjo gjë”
Më tej, Rama shtoi: “Opozitat bëjnë mocione mosbesimi për qeverinë të cilat nuk përfundojnë në fitore, por akte që shprehin detyrimin e opozitës ndaj popullit për të vënë në dukje një problem ose tërësi problemesh që ekzistojnë. Zonjës Topalli i janë bërë 2 nisma për shkarkim legjislaturën e shkuar dhe ato dy nisma kanë ndihmuar për të nxjerrë në pah një problem të rënduar në këtë parlament, i cili është uzurpimi i tij sepse populli nuk është lënë të votojë lirisht.”
Përsa i përket ofertës së opozitës, e cila nuk kërkon më hetimin e fletëve të votimit, por vetëm materialet zgjedhore, Rama u shpreh: “Oferta është një hap përpara i yni në emër të interesave të mëdha të vendit dhe për të mirën e shqiptarëve. Nuk është tërheqje por lëshim, është në kulturën europiane sepse duam që politika të jetë europiane dhe bashkëjetesa mes paleve të jetë europiane.”
Kryetari i PS preku edhe çështjen e pronave: “Duam që cështja e pronës të futet në rrugën e zgjidhjes, mos të ketë konflikte si në Dukat ose Orikum. Janë shkelur me këmbë familje shqiptare të cilat në atë copë toke shohin ëndrrën për fëmijët e tyre dhe janë shkelur pronarët e ligjshëm të cilët duan një përgjigje dhe një zgjidhje për pronën e tyre. Ky problem ndodh sepse barku i madh i pangopur i pushtetit do të ushqehet”.
Top Channel