Ambasadori amerikan në Prishtinë Christopher Dell zgjodhi një konferencë të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane për t’i bërë thirrje qeverisë së ardhshme se duhet të punojë më seriozisht në uljen e nivelit të papunësisë, korrupsionit dhe në zhvillimin ekonomik të vendit.

“Çdo sondazh që kam parë dhe me çdo qytetarë që jam takuar, mungesa e vendeve të punës dhe mungesa e të ardhurave materiale dhe korrupsioni janë shqetësimet kryesore të këtij vendi. Kushdo që t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme duhet të merret me këto sfida. Nëse qeveria e ardhshme dështon t’i bëjë këto, atëherë Kosova do te jetë një vend me telashe të mëdha, do të ketë shumë më tepër kritika për vendin tuaj, sesa çka patur  në vitet e kaluara”, është shprehur Dell.

Ambasadori Dell e mori fjalën pas prezantimit të një hulumtimi të odës amerikane ekonomike në Kosovë lidhur me interesimin e afaristëve të huaj për të investuar në Kosovë.

Në këtë kuadër ambasadori Dell foli edhe për natyrën e investitorëve që siç i quajti ai konsverativë dhe duhet më shumë punë për t’i bindur se Kosova është një vend i sigurt për të investuar.

Hulumtimi me titull “Kosova në sytë e investitorëve të huaj”, ka vënë në pah se investitorët potencialë nuk janë shumë të informuar me potencialet që ofron Kosova, megjithëse fushata meditike “Europianët e rinj” ka patur ndikimin e saj pozitiv.

Anketat janë bërë kryesisht me investitorët që janë prezent ne shtetet e Europës juglindore. Ky hulumtim arriti në përfundimin se asnjë nga respodentet nuk është kontaktuar nga ndonjë institucion apo agjenci shtetërore e Kosovës.

Sidoqoftë më shumë se gjysma e tyre konfirmojnë gatishmërinë për të investuar në Kosovë, por pasi të informohen mbi mjedisin e saj biznesor.

Informacioni mbi mjedisin biznesor të Kosovës dhe kriza financiare globale janë në fakt dy nga arsyet kryesore që investitorët e huaj hezitojnë të investojnë në Kosovë.

Top Channel