Me një letër të publikuar në një web site të njohur në Greqi, grupi terrorist “Komploti i celulave të zjarrit” ka marrë përsipër përgjegjësinë për 14 pakot-bombë që ka cuar me postë në shumë ambasada të huaja në Athinë, si dhe në zyrat e udhëheqësve europianë Angela Merkel, Nikolas Sarkozy, Silvio Berlusconi, në gjykatën europiane dhe zyrat qendrore të EUROPOL-it.

Në peticionin prej 13 faqesh, anëtarët e këtij grupi shfaqin solidaritetin e tyre ndaj tre personave të arrestuar prej antiterrorit grek, të cilët para disa ditësh kanë pranuar që janë pjesë e grupit në fjalë.

Ajo cka bie në sy është se për herë të parë grupi përdor simbolin me të cilin edhe nënshkruhet peticioni, ndërsa fjalët kryesore që karakterizojnë gjithë shkrimin janë: “nuk mundemi, rezistojmë, nuk shuhemi, djegim, nuk presim, jemi të padurueshem”.

Gjithashtu, ata theksojnë se organizata nuk do të arrestohet kurrë sepse nuk është thjesht një grup, por një rrymë idesh dhe idetë kurrë nuk arrestohen.

Duke iu referuar ngjarjeve të 1 Nëntorit autorët e peticionit shpjegojnë edhe pse kanë vënë sasi të vogla eksplozive në pakot-bombë, duke ditur se ato nuk do të hapeshin nga vetë ambasadorët apo udhëheqësit e lartë, por nga nënpunësit e thjeshtë.

“Jemi gati të përjetojmë periudha kohore me tension të madh, sepse polarizimi dhe konfliktet janë të pashmangshme. Greqia vazhdon tatëpjetën e saj ekonomike dhe do të bëhet në të ardhmen arenë e betejave të mëdha”, thuhet në deklaratë.

Në tekst iu bëhet një referim edhe lëvizjeve të tjera anarkiste në të gjithë botën, ndërsa kërkohet edhe aleanca e tyre në gjyqin e të arrestuarve që do të zhvillohet më 17 janar të 2011.

Top Channel